Monday, June 20, 2011

pushteti social

Universiteti i Tiranës
Fakulteti i Shkencave Sociale
Dega: Psikologji
Lënda: Psikologjia sociale
Viti : II
Part-Time











                                               
                                                       Tema: Pushteti Social


















     Punuan: Adelina Pjetra                                                                 Pranoi: Arjana Mucaj
                    Brunilda Muka
                    Elena Cristina Zanaj
                    Silvana Luka


                                                            Tiranë   2011
Pushteti social

   Pushteti social si koncept është analizuar nga studjues të ndryshëm dhe janë zhvilluar shumë teori të cilat janë herë- herë kotradiktore me njëra- tjetrën.
   Pushteti është një marrdhënie sociale tipike e komunitetit njerëzor, pavarësisht dimensioneve të saj (familje, komb, shtet), në plan kombëtar ose ndërkombëtar.
  Pushteti sipas Foucault (Fuko) ndahet “si një trekëndësh: pushteti, e drejta dhe e vërteta”. (1)
  Në termin juridik koncepti pushtet mund të përkufizohet si fuqia e autoriteteve për të reaguar dhe per t’u programuar për motive personale dhe kolektive. Studjues të ndryshëm kanë ndarë mendime të ndryshme se si mund ta quajnë pushtetin.                                                          
  Pershkrimi i pushtetit është një koncept shumë dimensional. Ekzistojnë shumë opinione për përshkrimin e pushtetit dhe për mënyren se si matet pushteti.
  Pushteti u studiua nga Platoni, Aristoteli, Konfucius, Makiaveli, Thomas Hobbes, Montesqieu, Weberi, etj, nga këndvështrime shumë të ndryshme.
  Nga këndvështrimi tekniko-organizativ pushtetin mund ta përkufizojmë si autoritet dhe autonomi e vendosur, e përshtatur në norma dhe rregulla nga një organ drejtues brenda kopetencave dhe përgjegjësive të veta.
  Sipas teorive Neoelitiste pushteti social në përgjithësi është i lidhur me pasurimin ekonomik të një rrethi të ngushtë personash . Pushteti është parë në një këndëvështrim më të gjerë gati duke u identifikuar me vetë jetën.
   Emerson në përkufizimin e tij për pushtetin shkruan: “Jeta është një kërkim i pushtetit dhe ky është një element që bota është ngopur, nuk ka vend që nuk e gjen dhe asnjë kërkim i ndershëm nuk bëhet pa shpërblim.”(2)
   Ky vision ishte dhe extrapolitik që inluencoi fuqishëm në teorinë Niceniane të vullnetit të pushtetit.
   Në fushat sociale ky koncept përkufizohet si fuqia për të influencuar mbi sjelljet e një grupi individësh apo një individi të vetëm. Kjo aftësi që ka individi kundrejt një grupi apo një individi të vetëm është tepër e ndërlikuar sepse jo gjithmonë përdoret për motive të mira dhe të dobishme.
   Pushteti është një dimension i marredhenieve ndërveprore sociale, gjë që e bën atë si një koncept relacional; d.m.th  nuk mund të pohohet se një person “ka pushtet”, pa specifikuar  se në marrdhenie me kë e ka këtë pushtet dhe cfarë atributi të pushtetit mban.
   Në nivel social, pushteti është një marrdhënie varësie reciproke midis shoqërise dhe pushtetit: d.m.th, pushteti perfaqëson lidhjen e domosdoshme midis të gjitha strukturave dhe fenomeneve sociale dhe rrjedh nga burimet dhe hierarkitë e tyre. Shoqëria hierarkizohet duke krijuar nivele pushteti, dhe nivelet të pushtetit organizohen për të drejtuar shoqërinë.
   Përvec karakterit relacional, pushteti social është edhe asimetrik, d.m.th në marrdhënien sociale ku karakteristikë është udhëheqie – nënshtrim.
   Sociologu amerikan Parsons fliste për pushtet në nivel makrosocial dhe mikrosocial. Ashtu si Ego (që si njësi shoqërore) dëshiron, Alter (nje tjeter njesi shoqerore) është të ketë një sjellje të përshtatshme për realizimin e projekteve të tij.
   Ky pushtet  jo gjithmonë ka qëllime pozitive por shpesh i rënë në “duar të gabuara” pa dyshim  mund të jetë shkatërrues .
   Po si i quajmë ndryshe këta njerëz të cilët kanë këtë aftësi për të ndikuar dhe influencuar kundrejt të tjerëve?  Në zhargonin e përditshem i quajmë: Shef, Drejtues, Bos, etj ndërsa në një gjuhë më zyrtare i quajmë LIDER.
   Nga  psikologjia e zhvillimit të fëmijës njohim  se temperamenti i fëmijëve është  i  lindur dhe që në hapat e para të fëmijërisë dallohen ata që kanë aftësinë e të qënurit të parët ose liderat e grupit të tyre shoqëror. Kështu vazhdon cikli i jetës dhe më pas këta fëmijë kanë probabilitet të jënë “liderat” e së ardhmes, qofshin të mirë apo jo të mirë.
  Në psikologji, sipas Thibaut dhe Kelley, pushteti është kapaciteti I kushtëzimit të veprimeve të individit, që manifestohet në format e:
Pushteti i shpërblimit
Pushteti i forcës
Pushteti ligjor
Pushteti referent
Pushteti i zotësise (i ekspertit)
Pushteti informativ

    Për të trajtuar në mënyrë më të gjërë këto pushtete do të mundohemi t’i drejtohemi realitetit Shqipëtar duke qënë se e kemi më të prekshëm dhe më jetësor.


   Pushteti i shpërblimit
  
   Nëse do ti referohemi pushtetit të shpërblimit, do të kuptojmë nga vetë fjala, që kemi të bëjmë me shpërblimet e ndryshme që drejtuesit apo punëdhënësit i japin vartësve në rast se kryhet puna me cilësi dhe në kohën e duhur. Kjo do të thotë që, pushteti i shpërblimit “buron nga kompetenca e njerëzve për të dhënë shpërblime(3). Shpërblimet kanë forma të ndryshme: rritja e pagës ose paga shtesë, ngritja në përgjegjësi, pjesëmarrja në projekte, stimul moral, pushime suplementare, etj.
   Pushteti shpërblimit është mjaft i fuqishëm edhe brenda familjes, (prindi kundrejt fëmijëve për një sjellje të caktuar). Ky pushtet është i lidhur drejtëpërdrejtë me teorinë e motivacionit.  Kjo teori tregon sa i rëndësishëm është shpërblimi për individin në një situate apo dhe në procesin e mësimdhënies. Pikërisht pushteti i shpërblimit ka një forcë dhe ndikim të madh në të dyja rastet edhe në mardhënie punëdhënës punëtor, por edhe në familje. Por, sic do pushtet që ka benefite, ka dhe kosto dhe ky lloj pushteti duhet të përdoret në masën e duhur për arësye se ndodh që pala që shpërblehet të mund të arrijë rezultate vetëm me anë të shpërblimit se në të kundërt nuk mund dhe nuk ndihet i motivuar
   Shpërblimi duhet ofruar në një masë të baraslarguar.  Një shpërblim i eksagjeruar humb efektin e vet.  Nëse një person shpërblehet në mënyrë të ekzagjeruar, ai humb motivimin për punë. Ndaj pushteti i shpërblimit është mirë që të përdoret në mënyra të ndryshme dhe jo vetëm me anë monetare por dhe me anë të: lavdërimeve për punën apo për detyrën e kyer, aprovimin me mirënjohje dhe gjithashtu duke treguar xheste dashurie; për shembull fëmijëve në kryerjen me sukses të detyrave të caktuara. Pikërisht atëherë pushteti i shpërblimit merr dhe ngjyra pozitive.
   Shumë institucione ofrojnë edhe shpërblime të tipit të specializimit ose ngritjes në detyrë. Në opinionin tonë, ky lloj shpërblimi është më efikas sepse duke qenë më i pregatitur dhe më i aftë për të ushtruar një profesion, domosdoshmërisht synohet një e ardhme më e sigurt dhe më e shpërblyer.
   Në përgjithësi, këtë lloj shpërblimi e gjejmë nëpër institucione të mëdha, në institucione kërkimore, nëpër institucione diplomatike dhe shtetërore me strategji afatgjata, në institucione që punojnë sipas planeve me qëllim të caktuar, etj. Për shembull, në fushën kriminalistikë, me pregatitjen dhe specializimin e një personi, kuptohet trajnimi i atij personi nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, stërvitjen e tij, etj. Të gjitha këto janë kosto që institucioni i investon për atë individ.

Pushteti i forcës

    Pushteti i forcës është një formë e ushtrimit të pushtetit. Sipas Oscar Wilde *“Cdo pushtet është degradues për ata që e ushtrojnë dhe për ata mbi të cilët ushtrohet”(4).
    Ky pushtet “e ka zanafillën tek pushteti shpërblyes dhe bazohet në frikën e vartësit përpara eprorit”(5).
  Pushteti i forcës është aftësia që ka një individid për të nënshtruar një tjetër individ më të dobët apo poshtë pozicionit të tij.
    Ky lloj pushteti është pushteti i punëdhënësit për të dënuar punëmarrësit dhe buron nga ligji.   
Po ashtu ky pushtet është një pushtet burokratik dhe institucional. Atëherë kur pushteti i forcës kalon limitet ligjore kalohet në abuzim të pushtetit dhe dënohet.
   Pushteti i forcës në këndvështrimin antropologjik është PUSHTETI SI AUTORITET. Ky këndvështrim është parë që te Makiaveli ku flitej për ‘luanë” dhe ‘dhelpra” ku të parët përdornin vetëm forcën për të fituar edhe pse në fund humbnin, ndërsa të dytët përdornin konsensusin dhe ishin më jetëgjatë .
  Hienrich Popitz e shikon pushtetin e forcës si pushtetin e dhunës dhe të frikës. Duke u nisur nga këto gjykime dhe këndvështrime ky pushtet ka gjithashtu një ndikim të madh qoftë në marrdhëniet punëtor-punëdhënës por dhe në marrdhëniet prind-fëmijë.
    Në rastin e marrdhënies së parë punëdhënës- punonjës forca është një lloj “kërcënimi” që i bën punëdhësi punonjësit. ”Kërcënimi” konsiston në uljen e pagës, në heqjen e ditës së punës apo dhe më rëndë në largimin nga puna. Ky pushtet ndikon shumë në anën psikologjike të punonjësit, I cili gjithmonë ka një presion psikologjik gjatë kryerjes së punës dhe pikërisht ky presion e bënë atë të ketë rezultate si positive ashtu dhe negative. Kjo ndodh se nën trysninë e “kërcënimeve” puna mund të bëhet mirë por sigurisht mund të bëhet edhe keq, gjë që ka kosto të drejtpërdrejtë me punonjësin.
    Në familje ky lloj pushteti ka po ashtu ndikimet e veta si pozitive ashtu dhe negative që do të thotë që nëse një prind “kërcënon” fëmijën e vet se po nuk doli mirë me rezultatet e shkollës atëherë ai nuk do të shkojë me pushime aty ku  ka dëshirë apo nuk do ti blejë bicikletën që ai ka dëshiruar. Kjo e motivon fëmijën shumë për tu impenjuar më seriozisht ne procesin mësimor. Sikundër nëse një prind do ta” kërcënojë” fëmijën e tij se nuk do ta dojë njësoj apo se ai nuk mund të jetë fëmija e tij nëse nuk del mirë me mësime, ka mundësi që presioni psikologjik te fëmija mund të jetë i madh deri aty sa ai mund të mbyllet në vetevete edhe sikur vërtet të arrijë rezultate të larta për të kënaqur prindin, ka deficite të tjera në procesin e gjatë të rritjes. Ky pushtet duhet mbajtur në kontrroll të rreptë, sepse sic shihet ndikimi kryesor ndaj ushtrimit të këtij pushteti është ana psikologjike, e cila lë gjurmë të mëdha për gjithë jetën në të dyja rastet e marrdhënies si në rastin punëdhënës-punonjës, po ashtu dhe në marrdhënien prind- fëmijë.
  Te punonjësi krijohet frika që e shoqëron në cdo vend pune dhe e bën atë të ketë një mungesë vetvlerësimi për veten, ndërsa te fëmijët ndodh që të futen në guackën e tyre dhe mos të shikojnë familjen si vendin ku ndihen të sigurt dhe të mbrojtur.
    Pushteti i forcës mund të jetë edhe karizmatik. Përvec mjeteve ligjore që drejtuesi i ka në dispozicion, ai mund të përdor edhe aftësitë të veta për të drejtuar punën në institucion. Këto aftësi kanë me shumë karakter emocional, duke krijuar një lidhje komunikimi midis drejtuesit dhe njerëzive që ju adresohet. Mënyra e të kërkuarit të dickaje, si për shembull kërkimi i një  shperblimi me një fjalë të mirë ose me një buzëqeshje, mund t’i forcojë liderit pushtetin e forcës. 
  Në shoqërinë shqiptare publike apo private, ekzistojnë lidera karizmatike dhe në opinionin tonë, këta janë liderat më të suksesshëm.

 Pushteti ligjor

   Pushteti ligjor sipas Hobbes është një formë kontrate që bëhet midis njerëzve për të evituar mosmarrveshjet që mund të ndodhin
  Sipas Oscar Wilde, “shteti duhet të bëjë atë që është e dobishme; individi ka për të bërë atë që është e bukur”.(6)
   Pushteti ligjor – “ka në themel sistemin e të drejtave, obligimeve dhe detyrave, të cilat bëjnë që <pozita> të pranohet nga vartësit si dicka legjitime”(7)
   Pushteti ligjor buron nga akte ligjore dhe nënligjore, që i japin drejtuesit fuqi vendimarrëse.
   Ndërsa sociologu Max Weber me pushtetin ligjor kupton: “mundësinë për të gjetur zbatim urdhërat që kanë një përmbajtje të caktuar nga një grup njerëzish”(8).
    Pushteti ligjor shikohet dhe ndjehet në marrdhëniet punëdhënës- punonjës dhe është pikërisht pushteti që ka të bëjë me të drejtat dhe detyrimet e të dyja palëve, që do të thotë se, nëse punëdhënësi ka të drejtë të kërkojë orarin dhe kryerjen e detyrave nga punonësi, ky i fundit ka të drejtë ti kërkojë punëdhënësit pagën, shpërblimet si dhe pushimet që atij i takojnë dhe të dyja palët janë të detyruara nga ana ligjore që ti zbatojnë detyrat dhe të drejtat e seicilit.
   Pushteti ligjor bazohet në mirëkuptimin e palëve se dikush ka të drejtë të pretendojnë bindje nga të tjerët. Në këtë mënyrë, në përgjithsesi, vendimet e drejtuesve nuk diskutohen.
   Pushteti ligjor, përvec mënyrës  së të ushtruarit, kufizohet edhe në kohë dhe në hapësirë.  Drejtuesi i një institucioni nuk mund t’i caktojë një detyrë vartësit të tij jashtë orarit të tij, përvec rasteve të vecanta të parashikuara në aktet ligjore dhe nënligjore të vecanta, ose në rastin kur vartësi pranon me dëshirë të lirë të kryejë atë detyrë. Këtu mund të kemi rastet e policëve ose mjekëve, që janë në gatishmëri punë edhe jashtë orarit zyrtar.
   Pushteti ligjor, shoqërohet edhe me pushtetin e dhunës, në formën e kërcënimeve dhe ofezave. Drejtuesi i institucionit është ai që merr vendime, dhe në realitetin shqipëtar, këto vendime merren sipas gjykimit personal, pa një analizë të përbashkët me stafin e punës. Mënyra e transmetimit të këtyre vendimeve, ndonjëherë mund të jetë kërcënuese dhe abuzive.

  Pushteti referent

  Pushteti referent– “bazohet në influencën që njerëz të vecantë, ose grupe njerëzish, ushtrojnë mbi të tjereë për shkak të besimit që ata kanë në idetë e këtyre individëve”(9).
  Pushteti referent bazohet në identifikimin i një personi - receptor me një person tjetër- transmetues, ku identifikimi caktohet si “sentiment identiteti” ose “dëshirë për t’u unifikuar”.
  Pushteti referent lidhet me traditën, familjen, shoqërinë, etj.
  Në pushtetin referent brenda grupit, nuk ekzistojnë lidera të mirfilltë, por të gjithë udhëhiqen në bazë të traditave, zakoneve, mentaliteteve dhe tabuve sociale
    Pushteti referent bazohet më shumë në seduksion dhe përjashton pushtetin e forcës. Pushtetin referent në bazë të seduksionit, e gjejmë tek raporti fëmijë-prind, nxënës-profesor, aktorë-simpatizues, etj.
    Pushteti referent shfaqet kur persona-receptor identifikohen me personin që mban pushtetin dhe provojnë të sillen si ata. Cilësitë karizmatikë të liderit si: veshjet, sjellja, profili – moral, personaliteti dhe karakteri i tij i japin këtij të fundit pushtet referent dhe ndikim ndaj grupit.
    Media shqiptare konfiguron për ditë persona me pushtet referent dhe persona që i referohen. Në fushën politikë imitohen shumë liderat partiake, duke filluar me fjalorin e përdorur, me sjelljet që aplikojnë deri tek mënyra e të menduarit dhe të vepruarit.
   Pushteti referent bazohet në adhururimin e liderit. Identifikimi i vartësit me personi që mban pushtetin, është faktori kyç që përfshihet në burimin e pushtetit. Duke i besuar dhe respektuar vendimet dhe veprimet e liderit, vartësit përpiqen t’i ngjajnë sa më shumë atij. Në këtë mënyrë lideri ka më shumë pushtet ndaj vartësit.
   Në ditët e sotme, lideri shet shume imazhin e tij. Nuk është e thënë që ai të jetë apo të përmbushë të gjithë ato cilësi që shfaq, por e rëndësishme është që ai të di ta japi veten si të tillë.  Në pushtetin referent, një rol të rëndësishëm luan mass-media dhe informacioni që trasmetohet në lidhje me një person, d.m.th që sa më pozitiv të jetë imazhi aq më fortë do të jetë pushteti referent i atij personi.
    Në opinionin tonë, pushteti referent mund te jetë, në një farë mase, artificial duke qënë se edhe marrdhëniet brenda grupit janë bërë më shumë artificiale. Lideri karizmatik, me pushtet referent zëvendësohet kollaj me interesat personale ose me interesat e grupit.

  
   Pushteti i zotësise (I ekspertit)
     
    Pushteti i ekspertit apo i Zotësisë është kur dikush e ndien veten shumë të pregatitur në fushën përkatëse dhe “rrjedh nga njohurite e menaxherit si ekspert, gje qe i “detyron” vartesit te kene respekt dhe t’i binden atij”(10).
    Ekspert mund te jetë një person që zotëron shumë njohuri në fushën ku punon dhe është i aftë të menaxhojë , të orientojë ose të drejtojë një pjesë të stafit ose kolegëve të tij të punës në disa situata. Rrjedhimisht nga ky fakt, eksperti mund të luajë edhe rolin e liderit.
    Në ditët e sotme, pushteti i ekspertit shoqërohet me një mori diplomash, certifikatash dhe specializimesh. Vet fjala zotësi vjen nga një ndërthurje eksperiencash, trajnimesh dhe specializimesh. Por nuk duhet harruar fakti se pa praktike, trajnimi nuk ka bazë. Janë konstatuar shumë raste, kur persona shumë të specializuar nuk kanë qenë të aftë të menaxhojnë një situatë reale – konkrete. Trajnimet prekin anën e përgjithshme të situatave dhe ekzistojnë raste kur ato janë shumë të ndryshme nga realiteti.
  Ekspert është një person i pregatitur si nga ana profesionale, ashtu dhe nga eksperienca, e cila e aftëson më shumë atë.
  Situata shqiptare tregon se ekspertët nuk janë shumë të vlerësuar. Janë të shumta rastet kur persona të pregatitur janë pushuar nga puna për shkak të ndikimeve politike – partiake. Ne përgjithësi vendet drejtuese janë zënë nga persona të paspecializuar për atë fushë të punës; nga persona që luajnë rolin e liderit pa u konsultuar me stafin e punës, ku përfshihen edhe ekspertët; dhe që marrin vendime duke u bazuar në ‘zotesinë’ e vet.


    Pushteti informativ

   Pushteti informativ apo pushteti i dijes, është shumë i rëndësishëm dhe potencial, duke qënë se vetë fjala dije mban brenda saj një peshë të rëndë.
  Pushteti I informacionit “buron nga privilegjet e menaxherit për të pasur akses dhe kontroll mbi informacionin e rëndësishëm për operacionet e organizatës dhe planet e ardhshme të saj”(11). 

  Në antikitet, dija ka qënë e analizuar si informacion që ne e marrim nëpërmjet ndjenjave ose nëpërmjet intelektit.
  John Locke foli, përvec dijes që vjen nga eksperienca edhe për dijen intuitive dhe atë demonstrative.
  N. Chomsky foli për konceptin e dijes “a priori”, duke ju referuar dijes se lindur.

  Një fjalë e urtë e populli tonë thotë: “Më mirë të dish sesa të kesh“, gjë që e tregon fare qartë potencialin e dijes.  Vec kësaj, kur ishim fëmijë shpesh dëgjonim përrallat me “Qerosin“, ku mesazhi i secilës ishte dija e Qerosit. Kjo tregon se që fëmijë prindërit mundohen ti induktojnë fëmijës vlerat e mëdha që ka dija. Dija ka të bëjë me të gjithë informacionin që ne marrin gjatë viteve të mësimdhënies apo dhe viteve të punësimit që në vetevete janë dhe ato vite mësimi, por jo vetëm kaq. Të dish apo të jesh i ditur është një proces që nuk shteron për gjatë gjithë procesit të jetës, por gjithashtu një rëndësi të madhe ka dhe mënyra e përkthimit të kësaj dije që ne kemi. A kuptohemi ne te pala tjetër që e japim këtë dije që kemi ka një rëndësi të vecantë po aq sa dija. Po si e shohim ne në realitetin tonë dijen dhe përkthimin e saj?

   Për fatin tonë të keq, të jesh i ditur në Shqipëri nuk do të thotë që të të jepet mundësia për ta shfaqur atë dhe rrjedhimisht, ata që mundohen ta japin këtë dije, jo gjithmonë mund të përkthehen nga pjesa tjetër.
  


     Dallimet gjinore

  Shoqëria shqiptare ka në qëndër të saj grupin apo fisin dhe jo individin në vecanti. Për këtë arësye rregullat, zakonet dhe traditat zenë një rol shumë të rëndësishëm në udhëhëqien e shoqërisë sonë. Pavarësisht se është një shoqërie multi-fetare, feja nuk ndikon aq shumë, në krahasim me rregullat dhe zakonet krahinore që janë shumë të fuqishme.
  Familja shqiptare, në thelbin e saj, vazhdon të jetë një familje patriarkale; gjë që bën, që vet fjala pushtet t’i atribuohet gjinisë mashkullore.
  Pushteti social, në punë apo në familje, ka një aspekt të gjerë. Vendi ynë edhe pse i vogël ka dallime të mëdha krahinore . Sami Frasheri fliste për shqipëtarë si: “gjithë të tjerë vendës të Shqipërisë janë fjeshtë Shqipëtarë, të ndarë me gegë dhe toskë. Shkumbija ndan Gegërinë nga Toskëria(12).
   Shqipëtatët e veriut ndoqën më shumë Kanunin e Lekë Dukagjinit ndërsa Indro Montaneli fliste se në Shqipërinë e jugut “nuk është në fuqi Kanuni sepse janë shembur organizimi shoqëror dhe zakoni që e justifikojnë. Fisi nuk është I ngurtë dhe kompakt, por zgjerohet në formën e një klientele, ku lidhjet e tregtisë mbizotërojnë ndaj atyre të gjakut”.(13)
  Nën ndikimin e traditave dhe zakoneve, pushteti social në familjet shqiptare varet nga niveli arsimor, nga niveli kulturor, etj. Në familjet që banojnë në fshat apo në qytete të vogla mbizotëron më shumë ndikimi i zakoneve.
  Në këto familje pushteti i shpërblimit gati nuk ekziston, sepse secili ka punë të ndara dhe cdo gjë është detyrim dhe jo motivim. Pushteti i forcës nuk përdoret nga ana e bindjes, por nga ana e dhunës, që në shumë raste mund të jetë fizike apo psikike. Për shembull, prindi ndaj fëmijës nuk përpiqet që ta drejtojë atë me anë të bindjes, por me anë të fjalëve urdhëruese, kërcënuese.  Pushteti referent përdoret më shumë si referim ndaj babait, që është figura dominuese në familje, duke qënë se përfaqëson autoritetin. Gjithashtu edhe nëna ka rolin e vet; ajo përfaqëson nënshtrimin, butësinë, dashurinë. Në varësi të gjinive dhe të situatave emocionale, të dy prindërit kanë pushtet referent brenda familjes. Por duhet të theksojmë se pushteti referent ka forcë më të madhe te gruaja duke qënë se ajo i atribuon burrit vlerat e tij dhe nga fëmijët është ajo që shikohet si mbështetja më e madhe. Pushteti i zotësisë brenda familjes buron nga eksperienca e jetës dhe i takon atij personi ose atij prindi që di të ndërthuri pushtetin e zotësisë me atë të dijes. Në vetvete pushteti i zotësise brenda familjes nuk ka ndikim të madh, sepse secili nga prindërit mundohet që fëmijëve t’i induktojë dijen dhe rrjedhimisht edhe zotësinë.
     Mentaliteti, kultura, normat dhe vlerat me të cilat janë rritur burrat (sidomos në Shqipëri) nuk ua ka mësuar atyre krijimin e një marrdhënie të barabartë. Nisur nga kjo, gjyshërit dhe baballarët dukeshin se ecnin mbi binarët e një ligji ku prioritetin mbi gruan e kishin të ligjëruar prej qindra vjetësh.  Prej shumë kohësh nisur nga ky mentalitet është ushqyer kaq shumë prioriteti i burrit ndaj gruas saqë është shndërruar në një kontrate ku thuajse ajo është si një ligj që garanton qelizën sociale, familjen dhe trashëgiminë. Sot ndodh thuajse e kundërta, çiftet kërkojnë të rrijnë së bashku vetëm nëse ka dashuri, mirëkuptim, ndarje vlerash dhe mënyrë të njëjtë të të kuptuarit, për t’u rritur së bashku dhe për t’u realizuar. Në të kundërt diskutohet prishja e kontratës, në çdo moment...
  Në familjet që banojnë në qytete të mëdha, ku puna nëpër institucione zë një vend kryesor, pushtetet sociale nuk janë shumë të ndara në varësi të gjinive, por më shumë në varësi të aftesive.
    Në aspektin institucional, pushteti social, sipas ligjeve, ndahet sipas aftësive dhe jo sipas dallimeve gjinore. Shteti shqipëtar nëpërmjet Kushtetutës, Kodit të Punës, Ligjit kundër Diskriminimit, etj ka ndërtuar një barazi gjinore nga ana ligjore. Në aspektin praktik, pushteti social institucional dominohet nga gjinia mashkullore. Pavarësisht se vet ligji flet për barazi gjinore, në thelb vet ligji është diskriminues kur flet për 30%-in e pjesëmarrjes së femrave të punësuara nëpër institucione edhe pse diskriminues në vetevete edhe ky ligj nuk zbatohet.


   Metamorfoza e pushtetit në Shqipëri

   Vetë fjala metamorfozë, do të thotë ndryshim. Njeriu, gjatë procesit të jetës së tij, ndryshon; ndryshon në tiparet fizike, në karakter, në sjellje. Pra procesi metamorfozë është I gjatë dhe vazhdon përgjatë gjithë jetës.
  Njeriu i veshur me pushtet ka një metamorfozë në formën e një harku, fillon të ngrihet në pushtet deri sa arrin majën dhe pastaj vjen periudha e shuarjes së imazhit të tij publik.



   Metamorfoza e shqiptarit me pushtet, kalon nëpër katër faza:
-          Faza e joshjes
-          Faza e eksitimit
-          Faza e orgazmës
-          Faza e shpërbërjes

    fazën e joshjes individi mban akoma tipare të karakterit dhe të naturalitetit të vet. Stili i veshjeve, modeli i flokëve, distanca e komunikimit, tonaliteti i zërit, janë akoma të papërpunuara. Imazhi dhe fjalori i tij tregojnë një farë origjinaliteti. Kjo varet nga aftësia e individit për të përpunuar dhe për të kuptuar produktin që vet reklamon. Njeriu me pushtet në një moshë më të re, të shkolluar dhe të specializuar jashtë Shqipërisë, mund të kuptojë dicka nga kjo fazë; ndërsa politikanët më të moshuar, që kanë pasur si modele vetëm realitetin shqipëtar, nuk i japin asnjë rëndësi kësaj faze.
   Në përgjithësi politika fillon si një joshje apo si një dehje. Pasi pi gotën e parë, njeriu filon të buzëqeshë, të ndihet më rehat, bëhet më miqësor dhe herë pas here mund të jetë i ndërgjegjshëm. Po nëse vazhdon dhe abuzon, mund edhe të dehet. Po njësoi ndodh edhe në pushtetin politik ose social. Në fillim njeriu me pushtet dëgjon më me vëmendje personat që e kanë zgjedhur, pranon më lehtë kritikat dhe është më shoqëror.
  Kjo është faza e pregatitjes për një vetëvlerësim të lartë. Duke qenë se rreth tij fillon të krijohet një qëndër vëmendje, automatikisht rritet edhe niveli i vetëvlerësimit që në këtë rast është shumë i dëmshëm. 

    fazën e eksitimit, njeriu me pushtet ka zgjeruar distancën e komunikimit; nuk buzëqesh, nuk përshëndetet dhe nuk ia hap më telefonin cdo personi, përfshij këtu edhe miqtë e tij të vjetër. Ai ka arritur të kuptojë se është pjesë e një “elite”. Tani është në fazën e të shtirurit; në fazën kur i duket se personi i tij është shumë i rëndësishëm; kur “mendimet dhe veprimet e tij” kanë peshë. Shoqëria e vërtetë, nuk i intereson më. Kënaqet me një rreth shoqëror që e miraton për cdo gjë. Ndryshimi fillon bëhet i dukshëm edhe brenda familjes ku shfaq tipare të forta të pushtetit të vet.
   Pushteti në Shqipëri fitohet shumë kollaj dhe humbet po aq kollaj. Njeriu shqipëtar me pushtet dehet që nga dita e parë; për të mos thënë se ai mund të dehet edhe me gotën bosh. Kjo ndodh në rastet e personave që kanë një të njohur që ka fituar një farë pushteti dhe konsiderojnë se pushteti i shokut është edhe pushteti i tyre.

  Faza e orgazmës është faza maksimale e pushtetit.  Në këtë fazë njeriu e ka humbur fare veten e tij të mëparëshme . Nuk ka familje, nuk ka shokë të pastër, por vetëm shokë – interesi. Mund të themi se faza e orgazmës është faza e degjenerimit. Njeriu është shndëruar plotësisht. Nuk mban më asnjë tipar të karakterit të vet.
    Për shumë persona me pushtet në Shqipëri, faza e orgazmës është faza e parë e puhtetit. Niveli i eksitimit është kaq i lartë, saqë dy fazat e para konsumohen që para marrjes në dorë të pushtetit.

   fazën e shpërbërjes pushteti fillon të degradohet. Njeriu me pushtet fillon të kuptojë realitetin; të kuptojë se lartësimi i tij ka qenë i shtirur. Shoqëria e tij e re ka qenë nën ndikimin e interesave. Tani fillon të kuptojë rëndësinë e familjes dhe të shoqërisë së vjetër. Është faza e keqardhjes dhe e vuajtjeve.
    Faza e shpërbërjes është një fazë që njerëzit e fortë përpiqen ta mbajnë të fshehtë. Kjo është një fazë, që njerëz të tjerë jo vetëm që nuk përpiqen ta kuptojnë por e perceptojnë si një humbje për vet shtetin ose shoqërinë që kanë drejtuar, dhe jo si një humbje të pushtetit të tyre. Në shoqërinë tonë shqipëtare, vetëlartesimin ekziston edhe në fazën e shpërbërjes. Duke qenë se jemi një shoqëri ku njerëzit kanë më shumë komplekse, atëherë ata përdorin më shumë mekanizma mbrojtëse të tipit të mohimit të realitetit (sipas mekanizmave mbrojtës të Frojdit).


Fjalë kyce

-Pushtet

- Lider

- Vartes

-Dallime gjinore































          KONKLUZIONE


    Pushteti social është trajtuar në mënyra të ndryshme nga studjues të ndryshëm si: sociologë, psikologë, filozofë, etj.

   Nisur nga këto këndvështrime të ndryshme që ne trajtuam në këtë detyrë pamë diversitetin e këtyre teorive për pushtetin social.

   Pushteti social pershfshin një mënyre të gjerë të ushtrimit të tij dhe kërkon që vlerat që atribuon një person të jenë te pranuara nga të tjerët.

   Pikënisja jonë kryesore për ndertimin e kësaj teme, përvec realitetit shqipëtar dhe opinionet tona, bazohet në studimet e Weberit, Hobbesit, Emersonit, Oscar Wilde-it, etj, të cilët e kishin parë pushtetin social në këndvështrime të ndryshme. Vetë ndarja e pushtetit social në gjashte mini pushtete (pushteti I shpërblimit, I forcës, ligjor, referent, I zotësise dhe informativ), na bëri të prekim realitetin shqipëtar në të gjitha aspektet e pushteteve përfshi dhe atë të dallimeve gjinore brenda tyre.

   Në opinionin tonë, duke qenë se shoqëria jonë shqipëtare vazhdon të jetë një shoqëri që udhëhiqet nga tradita, pushteti social vazhdon të ketë një ndikim shumë të madh edhe brenda familjes. Lideri i familjes apo i fisit mban fuqi vendimmarrëse brenda këtij grupi shoqëror; ndryshe nga shoqëritë individualiste, ku individi vepron më pak nën-ndkimin e grupit.

  Në shoqërinë tonë, orientimi i pushtetit social i meshkujve, ndryshon nga ai i femrave.   
  Mashkulli shqipëtar ushtron pushtetin e tij social në të gjitha format dhe mënyrat duke afirmuar vlerat e tij në shoqëri. Këto vlera, ai i shpall më shumë nëpërmjet pasurisë së tij, sepse këtu pushteti pasqyrohet me pasuri pra e thënë ndryshe pushtet = pasuri. Pasuria të siguron pushtetin e shpërblimit, pushtetin e forcës, të ligjit, etj.; të jep fuqinë e liderit dhe të “garanton” pushtet social.
  Pushteti social i femrave shqipëtare gjendet më shumë në marrdhëniet ndërshoqërore; ku gruaja përfaqëson ose luan rolin e kujdestares. Ajo kujdeset për punën në shtëpi dhe për rritjen e fëmijëve.

   Metamorfoza e pushtetit ka një shtrirje të gjerë në Shqipëri, sepse ketë metamofrozë e gjejmë edhe tek njerëzit që kanë pushtet, por edhe tek ata që ju duken sikur zotërojne atë pushtet. Edhe kur nuk kanë ndonje pushtet social institucional, shqipëtaret mendojnë se janë të lindur për të ushtruar pushtetin e zotësisë dhe atë të informacionit, por është faji I shqërise se nuk I promovojnë ose fatkeqësia e tyre se nuk kanë patur shansë për tu afirmuar.

   Pushteti social ushtrohet nëpërmjet forcës, bindjes ose manipulimit dhe ashtu sic thoshte sociologu gjerman Geert Hofstede “autoriteti mbijeton vetëm atije ku ka nënshtrim”.




Referenca

1.      Michel Foucault – “Pushteti dhe dija”, Shtepia Botuese _________, viti___, Tirane, (p.95)

2.      Emerson – “Vullneti per pushtet”,  cituar ne www.forumi.shqiperia.com

3.      Prof.ass Baki Koleci, Dr.Fetah Reqica, Mr.sc.Neritan Turkeshi – “Manaxhement (Baza e menaxhimit)”, Prishtine, 2008, (p.82), cituar ne www.slideshare.net

4.      Oscar Wilde – “Aforizma”, Shtepia Botuese_______, Tirane, viti ____, page

5.      Manaxhement (Baza e menaxhimit), idem, p.82

6.      Oscar Wilde, idem

7.      Manaxhement (Baza e menaxhimit), idem, p.82

8.      Max Weber – “Ekonomia dhe Shoqeria”, Teori Sociologjike, Eniaud, 1991

9.      Manaxhement (Baza e menaxhimit), idem, p.82

10.  Manaxhement (Baza e menaxhimit), idem, p.82

11.  Manaxhement (Baza e menaxhimit), idem, p.82

12.  Sami Frasheri – “Shqiperia c’ka qene, c’eshte e cdo te behet”, Shtepia Botuese “Naim Frasheri”, Tirane, 1962, p.64

13.  Indro Montaneli – “Shqiperia nje dhe nje mije”, Shtepia Botuese______, Tirane, viti____, p.50

14.  Heinrich Popitz – “Fenomenologjia e Pushtetit”, Il Mulino, 2001

15.  Zenel Orhani – “Psikologjia e Motivationit”

16.  Edmond Dragoti – “Psikologjia Sociale”, Tirane, 2004, (p.281-292)

17.  Kushtetuta e Shqiperise

18.  Kodi I Punes

19.  Ligji nr.10 221, date 04.02.2010 per “Mbrojtjen kunder diskriminimit”



No comments:

Post a Comment